Shpeshherë, shpejtësia e ngadaltë e internetit vjen si pasojë e një telefoni që nuk po performon në maksimum. Në këto raste, disa proçedura të thjeshta që mund t’i kryeni në aparatin tuaj mund të bëjnë diferencën:

1.Mbyllni Aplikacionet

Fillimisht, është e këshillueshme që të mbyllni aplikacionet e ndryshme që mund të keni në sfond. Shumica e smartphone nuk e mbyllin një program në momentin që ju dilni nga ai, por thjesht e minimizojnë atë. Duke vazhduar të punojë, programi rezervon një pjesë të proçesorit. Gjithashtu mund të përdorë shërbimin e internetit, duke penguar programet e tjera ta përdorin më lirisht. Gjithashtu, mbyllja e aplikacioneve rrit ndjeshëm kohëzgjatjen e baterisë.

2. Pastrimi i të dhënave të panevojshme (Clear Cache/Junk)

Me kalimin e kohës, aplikacionet grumbullojnë informacion në lidhje me preferencat tuaja dhe opsionet që klikoni më shpesh Kjo gjë bëhet me qëllim që te përshpejtohen proçeset, megjithatë më kalimin e kohës, këto të dhëna që ruhen në Cache mund të bëhen pengesë për funksionin normal të programit. Fshirja e Cache-së mund të korrigjojë keq funksionimin e një programi si edhe liron memorien që ai zë në telefon.

Shkoni tek Settings ->Applications (Apps) -> Applications Manager. Përzgjidhni programin që dëshironi (një nga programet që përdorni më rregullisht) dhe tek opsioni Storage përzgjidhni Clear Cache.

3.Fshini programet që nuk i përdorni

Thuajse të gjithë programet që janë në telefon, e përdorin shërbimin e internetit në një mënyrë apo një tjetër. Këto programe, edhe pse nuk përdoren në mënyrë aktive, kanë proçese të “padukshme” që nuk i vëmë re. Këto aplikacione jo vetëm që ngadalësojnë telefonin, por shpenzojnë edhe sasi interneti në sfond, duke penguar programet e tjera që ta përdorin më lirisht shërbimin. Kjo ndikon tek kohëzgjatja e baterisë duke rritur konsumimin e saj.

Shkoni tek Settings-> Applications (Apps) -> Applications Manager.Përzgjidhni programin që dëshironi të fshini dhe klikoni tek opsioni Uninstall. Nëse është e pamundur që të fshihet plotësisht programi, mund të klikoni tek opsioni Disable në mënyrë që të ndaloni funksionimin e tij.

4. Kontrolloni përzgjedhjen e rrjetit në telefon

Nëse përzgjedhja e rrjetit (Network Mode) në telefon është lënë automatike (Auto Mode), telefoni juaj mund të ndryshojë valët nga një rrjet në tjetrin, në varësi se cili rrjet mund të jetë më i fuqishëm për momentin. Për të provuar eksperiencën më të mire të lundrimit në Internet , përdorni rrjetin 4G/LTE  në telefonin tuaj ose nëse nuk keni një aparat që e suporton këtë rrjet  përzgjidhni  opsionin  3G / WCDMA Only.

Për të ndryshuar përzgjedhjen e rrjetit, shkoni tek Settings ->More (More Networks) -> Mobile Networks -> Network Mode (Prefered Networks. Përzgjidhni opsionin 3G Only / WCDMA Only.