Të rinjtë europianë udhëheqin rrugën drejt mirëqenies digjitale përmes Skills Upload Jr
Të rinjtë europianë udhëheqin rrugën drejt mirëqenies digjitale përmes Skills Upload Jr
Mbi 3,000 nxënës nga e gjithë Europa morën pjesë në sfidën vjetore Skills Upload Jr (SUJ), duke prezantuar ide krijuese të udhëhequra nga ata vetë për të mbështetur mirëqenien digjitale dhe për të promovuar përvoja më të shëndetshme online për fëmijët dhe të rinjtë.
Sfida Skills Upload Jr pasqyron angazhimin afatgjatë të Vodafone Foundation për përmirësimin e mirëqenies digjitale dhe bazohet në gjetjet e studimit të fundit Connected Childhood, realizuar në partneritet me Save the Children. Studimi tregon se vetëm 1 në 4 të rinj e vlerëson mirëqenien e tij digjitale si të mirë ose shumë të mirë, ndërsa pothuajse gjysma shqetësohen se mund të humbasin diçka kur janë offline. Në këtë kontekst, sfida e këtij viti ftoi nxënësit të zhvillojnë zgjidhje që nxisin përdorimin më të përgjegjshëm dhe të balancuar të teknologjisë.
Projektet e paraqitura reflektuan kompleksitetin e përvojës digjitale të të rinjve, duke adresuar tema si koha para ekranit, shëndeti emocional, dezinformimi, siguria online, përdorimi i përgjegjshëm i pajisjeve, marrëdhëniet digjitale dhe roli në rritje i inteligjencës artificiale.
Në këtë sfidë morën pjesë nxënës nga Shqipëria, Greqia, Holanda, Portugalia, Rumania, Spanja dhe Turqia. Gjatë fazës përgatitore, nxënësit përfituan trajnime individuale dhe në grup mbi mirëqenien digjitale, teknologjinë dhe dizajnin e projekteve, të ofruara nga vullnetarë – shumë prej të cilëve punonjës të Vodafone dhe VOIS.
Fituesi i përgjithshëm i edicionit 2026 të Skills Upload Jr ishte projekti “CALMify AI,” i zhvilluar nga nxënës të Greqisë. Ky projekt propozon një mjet me inteligjencë artificiale që identifikon shenjat e hershme të ankthit përmes qëndrimit trupor dhe mimikës së fytyrës, duke aktivizuar muzikë qetësuese të personalizuar për të mbështetur balancën emocionale dhe përqendrimin.
Vlerësime të veçanta morën gjithashtu projektet nga Turqia, Rumania dhe Spanja, për qasje inovative në reduktimin e kohës para ekranit, mbështetjen e mirëqenies emocionale dhe adresimin e sfidës së vetmisë digjitale.
Së bashku, këto projekte tregojnë fuqinë e inovacionit të udhëhequr nga të rinjtë në përballjen me sfidat komplekse të mirëqenies digjitale, duke kombinuar teknologjinë me empatinë dhe ndërgjegjësimin.
Lisa Felton, Drejtore e Vodafone Foundation, u shpreh: “Skills Upload Jr Challenge tregon se të rinjtë jo vetëm ndikohen nga bota digjitale – ata po e formësojnë atë. Idetë e tyre pasqyrojnë përvojat reale nga shkolla, familja dhe shoqëria dhe theksojnë rëndësinë e përfshirjes së tyre në ndërtimin e një të ardhmeje digjitale më të shëndetshme.”
Shqipëria u përfaqësua në këtë sfidë nga shkolla fituese e edicionit kombëtar të Skills Upload Junior, organizuar më 2 mars 2026 nga Vodafone Foundation Albania, në partneritet me British Council.
Shkolla fituese, “Bajram Abdiu” në Kukës, përfaqësoi Shqipërinë me projektin “FutureReadyFarms,” i cili lidh teknologjinë me bujqësinë përmes një sistemi inteligjent të ndërtuar me Micro:bit, që monitoron shëndetin e kafshëve, automatizon proceset e ushqimit dhe mbështet menaxhimin e serrave, duke sjellë bujqësinë tradicionale në epokën digjitale.
Jonida Lakuriqi, Kryetare e Bordit të Vodafone Foundation Albania, u shpreh:
“Ngushtimi i hendekut digjital nuk ka të bëjë vetëm me aksesin në teknologji, por me garantimin e mundësive të barabarta për të ardhmen. Përmes Skills Upload Junior, ne fuqizojmë të rinjtë të inovojnë dhe ta përdorin teknologjinë për ndikim pozitiv.”
Deri më sot, programi ka sjellë një ndikim të rëndësishëm në Shqipëri, duke angazhuar mijëra nxënës dhe mësues dhe duke kontribuar në zhvillimin e aftësive digjitale dhe përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë:
rreth 1,700 nxënës të moshës 13–18 vjeç të trajnuar;
mbi 2,000 mësues nga 54 shkolla të angazhuar;
110 mësues ICT të trajnuar si koordinatorë;
1,100 nxënës të trajnuar intensivisht, duke çuar në përzgjedhjen e 15 shkollave finaliste.
Këto rezultate dëshmojnë kontributin në rritje të programit në formimin e një brezi të pajisur me aftësi dixhitale dhe një kulturë të përgjegjshme përdorimi të teknologjisë, duke fuqizuar të rinjtë ta përdorin atë në mënyrë krijuese, të sigurt dhe me besim, ndërsa kontribuojnë në ndërtimin e së ardhmes së komuniteteve të tyre dhe të shoqërisë në tërësi.