Kerkimet ne internet, bluetooth, chat rooms & email

Kerkimet ne internet, bluetooth, chat rooms & email

Bluetooth

Çfarë është Bluetooth?

Sipas deklaratës të "Grupit të Veçantë të Interesit mbi Bluetooth-in" (Bluetooth Special Interest Group), teknologjia pa telefon, Bluetooth, është pjesë e shumë pajisjeve elektronike që ju mundëson të flisni dhe të ndani muzikë dhe video pa përdorimin e telave. Bluetooth përdor valët radio për të dërguar informacion pa përdorimin e telave – ashtu si dhe ndodh me telefonat celularë, radiot FM dhe televizorët. Ndryshimi ndërmjet tyre është se Bluetooth-i funksionon në një distancë deri në 10 metra (që ndryshe quhet Rrjeti i Zonës Personale), ndërsa telefonat celularë, radiot FM dhe televizori funksionojnë në një distancë prej shumë miljesh.

Teknologjia "Bluetooth" konsiston në një pjesë hardware-i ose një chip i vogël kompjuterik që përmban radion Bluetooth si dhe disa software.

Kjo pajisje/aplikacion u projektua fillimisht si një zëvendësues pa tela ndërmjet telefonave dhe aparateve, tastjerave dhe mausit tuaj, por tanimë mund të përdoret për të lidhur celularin tuaj me impiantin muzikor të makinës apo për të printuar imazhe direkt nga telefoni juaj.

Çfarë duhet të di për Bluetooth-in?

Fëmijët tuaj mund të përdorin Bluetooth-in në telefonin e tyre, ndaj është shumë e rëndësishme që të kuptoni rreziqet e mundshme që i kanosen sigurisë dhe privatësisë së tyre.

Si çdo teknologji wireless, Bluetooth është objekt shkeljesh të normave të sigurisë, të tilla si:

Bluebugging – hakerat marrin nën kontroll një telefon celular nëpërmjet pajisjes "Bluetooth" dhe e përdorin për të kryer telefonata, për të dërguar mesazhe dhe për të hyrë në listën e adresave në mënyrë të paautorizuar.
Bluejacking – mesazhe të pakërkuara i dërgohen aparateve "Bluetooth" të tilla si telefonat celularë dhe aparatetpalmarë (PDAs). Zakonisht janë të padëmshme, po nëse juve apo fëmijëve tuaj ju ndodh të merrni mesazhe të tilla, ju ose ata mund të shihni përmbajtje të papërshtatshme apo të bini viktimë e një bullisti.
Bluesnarfing – kjo është shumë më e rëndë se sa Bluejacking, duke qënë se në këtë rast dikush akseson dhe kopjon informacion personal të ruajtur në një aparat me Bluetooth, si për shembull lista e adresave, e-maile, mesazhe dhe fotografi.
Viruset– fëmija juaj mund të marrë edhe një virus në telefonin e tij celular, së bashku me një dokument të marrë me anë të Bluetooth-it.
Fëmijët tuaj mund të përdorin aplikacionin "Bluetooth" për t’u përfshirë në veprimtari të papërshtatshme ose të paligjshme, si për shembull:

Shpërndarja e dokumentave të paligjshme – marrja apo dërgimi i muzikës nëpërmjet Bluetooth-it, për të cilat nuk është paguar, mund të përbëjë shkelje të ligjit të të drejtave të autorit.
Sexting– disa të rinj shkëmbejnë imazhe nudo apo fotografi intime nëpërmjet Bluetooth-it, gjë që mund t’i ekspozojë ndaj rreziqeve si bullizmi. Shkëmbimi i këtyre imazheve/fotografive mund të përbëjë dhe shkelje të ligjit.
Për fat të mirë shumë nga prodhuesit e pajisjeve me Bluetooth ofrojnë mjete të integruara për t’ju mundësuar të zgjidhni aparatet me të cilat ju ose fëmija juaj dëshironi të komunikoni si dhe mund të zgjidhni t’i ç’aktivizoni tërësisht pajisjet Bluetooth. 
Çfarë mund të bëj unë për Bluetooth-in
Këshillojini fëmijët tuaj ta marrin seriozisht cështjen e sigurisë së telefonave celulare – ata duhet ta trajtojnë telefonin e tyre si një mini-kompjuter me vlerë dhe nga ana financiare dhe për informacionin e ruajtur në të
Pajisjet që kanë të aktivizuar Bluetooth-in dhe në modalitetin “i zbulueshëm” janë të rrezikuara ndaj aktivizoni modalitetin më të fortë të sigurisë në aparatet me Bluetooth të fëmijëve tuaj. Shkoni në menunë Bluetooth dhe caktojeni aparatin tuaj në modelitetin “i pazbulueshëm” ose “i fshehur”
Këshillojeni fëmijën tuaj t’i fshijë të gjitha informacionet e pakërkuara që mund t’i mbërrijnë në aparatin e tij me Bluetooth, si për shembull në celularin e tyre ose në pajisjet PDA
Shpjegojuni atyre përse duhet të refuzojnë kërkesat për të instaluar programe të reja në telefonat e tyre celulare – këto mund të jenë viruse
Të njëjtat software anti-virus që përdoren për kompjuterin tuaj mund të përdoren edhe për telefonat celulare • Lexoni artikujt qe ne ofrojmë mbi shkarkimet dhe të drejtat e autorit, zbulimin e identitetit seksual, privatësine dhe sigurinë.

Chat rooms dhe IM

Çfarë është chat-i?

Chat-i në rrjet është një mënyrë të komunikuari që konsiston në dërgimin e mesazheve me tekst njerëzve që ndodhen në të njëjtën dhomë chat-i në të njëjtën kohë (Burimi:Wikipedia). Dhomat e Chat-it shpesh ndërtohen mbi bazë interesash të përbashkëta.

Çfarë është IM?

IM (forma e shkurtër e “mesazheve në kohë reale – instant messaging”) është një platformë tjetër ku shkëmbehen mesazhe tekst nëpërmjet internetit. Shumë të rinj e pëlqejnë këtë mënyrë të komunikuari duke qenë se është e shpejtë dhe zhvillohet në kohë reale. Është pak a shumë si të flasësh në telefon ose ballë për ballë sepse ju e dini që personi me të cilin po komunikoni është atje dhe ju kthen përgjigje të menjëhershme.

AOL Instant Messenger(shpesh quhet dhe AIM) dhe Windows Live Messenger(i cili me parë quhej MSNMessenger) janë dy forma të shërbimeve IM më të njohura.

Sidoqoftë, kërkimet tregojnë se platformat e shkëmbimit të mesazheve në kohë reale janë një nga viktimat e rritjes së përdorimit të rrjeteve sociale – sipas statistikave rezulton se në vitin 2007, rreth 14 për qind e kohës së kaluar në internet në Mbretërinë e Bashkuar shpenzohej për të komunikuar nëpërmjet platformave IM në krahasim me vetëm pesë për qind të kohës në vitin 2010.

Çfarë duhet të di për chat-in dhe platformat IM?

Është shumë e rëndësishme të kuptoni se si fëmijët tuaj mund të përdorin dhomat e chat-it dhe platformat IM dhe të bëni një bisedë me ta në lidhje me sigurinë në internet.

Dhomat e chat-it kanë qenë popullore në rrethet e të rinjve si një mënyrë për të lidhur miqësi të reja, për të ndarë pasionet dhe interesat e tyre, si dhe për të diskutuar çështje që i kanë për zemër. Sidoqoftë, në vitet e fundit, faqet e rrjeteve sociale janë kthyer në platformat më kryesore të bisedave që adoleshentët zhvillojnë në rrjet.

Komunikimi me mesazhe në kohë reale ka pësuar rritje në raport me përdorimin e rrjeteve sociale por ende mbetet popullor duke qënë se lejon fëmijët dhe adoleshentët të bisedojnë në kohë reale me miqtë dhe të afërmit nga kompjuteri i tyre dhe pajisje të tjera që operojnë nëpërmjet internetit, si për shembull telefonat celularë. Mund ta keni dëgjuar djalin ose vajzën tuaj të thotë se “po hyn në MSN”, për shembull, ose të përdorë shërbime që i lejojnë të sinkronizojnë shërbimet e mesazheve në kohë reale, rrjetet sociale dhe kontaktet e telefonave celularë në të njëjtin vend.

Duke patur parasysh se të rinjtë ndeshen me rreziqe në dhomat e chat-it, shumë nga ofruesit më të mëdhenj të shërbimeve të internetit i lejojnë të rinjve nën moshën 18 vjeç të hyjnë në dhoma chat-i të moderuara. Këto dhoma chat-i zbatojnë rregulla në mbrojtje të përdoruesve të rinj dhe në çdo kohë monitorohen nga moderatorë profesionistë të cilët vëzhgojnë për sjellje të papërshtatshme.

Sa i takon elementëve të sigurisë të platformave IM, Programi për “Mbikqyrjen nga Prindërit“, nëse është i disponueshëm, kufizon aksesin që fëmija juaj ka ndaj platformave IM si dhe ju mundëson atyre të bllokojnë persona nga “lista e miqve” të tyre (Libri i adresave i platforms IM).

Është e rëndësishme të kuptoni rreziqet e mundshme të sigurisë më të cilat fëmijët tuaj mund të përballen ndërsa bisedojnë në rrjet dhe nëpërmjet platformave IM, si për shembull:

Bullizmi virtual nëpërmjet mjeteve elektronike të komunikimit– një mik nga dhomat e chat-it ose një përdorues i platformave IM mund t’i dërgojë djalit ose vajzës suaj mesazhe fyese apo kërcënuese ose vetë fëmija juaj mund të bëhet bullist.
Shkëmbimi i fotografive dhe imazheve webcam të papërshtatshme – atyre mund t’u kërkohet të dërgojnë imazhe provokuese drejt një tjetër dhomë chat-i ose një përdoruesi të caktuar të platformës IM.
Vjedhje e identitetit – dikush mund të përpiqet të gjejë informacion personal në mënyrë që të vjedhë identitetin e fëmijës tuaj.
Shoqërimi on line– fare pa e kuptuar fëmija juaj mund të chat-ojë me një të rritur i cili kërkon të vendosë një marrëdhënie seksuale me ta.
Marrja e këshillave keqinformuese shëndetësore – disa dhoma chat-i në rrjet që nxisin çrregullimet në të ushqyer dhe praktika vet-dëmtuese. 

Çfarë mund të bëj në lidhje me chat-in dhe IM?
Mos harroni të flisni me fëmijët tuaj mbi dhomat e chat-it dhe shërbimin e platformave IM gjatë bisedave që mund të zhvilloni me ta në lidhje me sigurinë në internet në përgjithësi.
Instaloni ose aktivizoni "Programin për Mbikqyrjen nga Prindërit" dhe "Kërkimin e Sigurtë", nëse është i disponueshëm, në përputhje me pjekurinë e fëmijës suaj në mënyrë që ata të mund të aksesojnë vetëm përmbajtje të përshtatshme për moshën e tyre në internet – po mos harroni se këto mjete mund të mos jenë 100% të sigurta dhe nuk e zëvendësojnë mbikqyrjen nga prindërit.
Informohuni nëse ofruesi juaj i internetit ofron dhoma chat-i të moderuara.
Uluni bashkë dhe shikoni dhomat e chat-it që fëmija juaj viziton ose dëshiron të vizitojë.
Nxitini fëmijët të përdorin një pseudonim në vend të emrit të tyre të vërtetë në dhomat e chat-it dhe në platformat IM.
Flisni me fëmijët tuaj mbi rreziqet e mundshme të bullizmit virtual– si dhe për mënyrat se si ata mund te bëhen viktimë e bullizmit apo se si diçka që ata mund të thonë në një dhomë chat-i mund të konsiderohet si ngacmim.
Mësojuni si të ruajnë një kopje të bisedave në chat ose në platformën IM, si të bllokojnë/refuzojnë dikë dhe si t’i raportojnë diçka të papërshtatshme ofruesit/moderatorit të dhomës së chat-it – mënyrën për ta bërë këtë mund ta gjeni nën titujt “Ndihmë” (Help) ose “Siguria” (Safety) të dhomës së chat-it.
Shpjegojini fëmijëve tuaj se duhet të tregojnë kujdes në lidhje me personat të cilëve iu besojnë në rrjet dhe se nuk duhet t’u japin informacion personal (si për shembull numrin e celularit, adresën apo emrin e shkollës së tyre) personave të panjohur dhe se nuk duhet të kryejnë biseda në dhoma private të chat-it (atje ku bisedat nuk mund të shihen nga të tjerët) me persona që nuk i njohin në jetën reale.
Këshillojuni t’ju drejtohen juve nëse nuk ndihen mirë në lidhje me diçka që ka ndodhur në një dhomë chat-i ose në një platformë IM. Nëse ju ose fëmija juaj ndiheni të shqetësuar në lidhje me një bisedë të zhvilluar në një dhomë chat-i ose në një platforme IM, raportojeni këtë shqetësim pranë shoqërisë që e operon këtë platformë – shkoni nën titullin “Ndihmë” ose “Siguria” për të mësuar se si të veproni.
Nëse fëmija juaj dëshiron të takohet me dikë që e ka njohur në një dhomë chat-i ose platformë IM, shkoni me ta dhe takojini në një vend publik.

Email

Çfarë duhet të di në lidhje me email-in?

Padyshim që e përdorni e-mail-in, në shtëpi ose në punë, kështu që nuk do të japim hollësi në lidhje me këtë teknologji. 
Siç e dini, e-mail-i është një mjet shumë i dobishëm komunikimi pasi tarifohet lirë. Pavarësisht rritjes së përdorimit të faqeve sociale,sipas statistikave ky mjet ende përbën shtatë për qind të kohës totale të shpenzuar në rrjet në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu, ju duhet ta dini se gjatë përdorimit të e-mailit mund të përballeni me probleme – ndoshta mund t’ju kenë dërguar e-maile spam, mund të keni marrë një virus apo të keni qënë objekt i vjedhjes së identitetit.

Këto rreziqe të mundshme, së bashku me bullizmin virtual rrezikojnë edhe përdoruesit e rinj të e-mailit.

Çfarë mund të bëj në lidhje me email-in?

Instaloni ose aktivizoni "Programin për Mbikqyrjen nga Prindërit", nëse është i disponueshëm, duke patur parasysh moshën dhe pjekurinë e fëmijës tuaj (nëse keni fëmijë më të vegjël mund të vendosni që ata t’u dërgojnë e-maile vetëm njerëzve të njohur të familjes tuaj, për shembull). Por mos harroni se "Programi për Mbikqyrjen nga Prindërit" mund të mos jetë 100% i sigurtë dhe nuk zëvendëson mbikqyrjen nga prindërit.
Sigurohuni që fëmijët tuaj të përdorin një fjalëkalim të fortë (që përmban një kombinim shkronjash, numrash apo simbolesh) për të hapur llogarinë e tyre dhe se nuk do ta ndajnë atë me askënd.
Shpjegojuni se përse është e rëndësishme të mos e tregojnë emrin e tyre, adresën dhe emrin e shkollës.
Këshillojini fëmijët tuaj t’ua japin adresën e tyre të e-mailit vetëm personave që ata i njohin dhe i’u besojnë dhe që asnjëherë të mos i përgjigjen e-maileve nga persona të panjohur.
Për më shumë informacion lexoni artikujt që ne ofrojmë mbi bullizmin nëpërmjet mjeteve elektronike të komunikimit, vjedhjen e identitetit, përmbajtjen e papërshtatshme, shoqërimin on line, privatësinë, sigurinë, skemat e mashtrimit dhe e-mailet spam.
Mësoni rreth menaxhimit të reputacionit dhe shkëmbimin e materialeve me përmbajtje seksuale në mënyrë që të jeni në gjëndje t’iu flisni fëmijëve tuaj rreth mënyrës së si duhet të përdorin e-mailin me përgjegjësi.
Shpjegojini fëmijës tuaj se kompani të caktuara mund t’i kontaktojnë ata nëpërmjet e-mailit – më shumë informacion për këtë mund të gjeni në artikujt tanë rreth reklamimit në rrjet dhe e-maileve spam e scam.
Të lutem prit