Brezi i ri, i lindur në epokën dixhitale rritet në një botë që është e lidhur në internet në mënyrë konstante, duke u përballur me ngacmimet kibernetike, të cilat sot përbëjnë më shumë problem për të rinjtë sesa abuzimi me drogën.

Sondazhi i Vodafone Group, i autorizuar nga YouGov, dhe i zhvilluar online me 5000 të rinj nga 11 shtete, zbuloi se mesatarisht rreth një në pesë adoleshentë (18%) në të gjitha vendet e anketuara ishin viktima të ngacmimeve kibernetike dhe si rezultat:

  • 41% mendojnë se ngacmimi kibernetik i bënte të ndiheshin ‘të dëshpëruar’ ose ‘të padobishëm.
  • 43% e adoleshentëve mendojnë se ngacmimi kibernetik është një problem më i madh se abuzimi me drogën.
  • 26 % ndiheshin ‘krejt të vetmuar’ dhe 18 % mendonin vetëvrasjen.
  • 21% nuk shkonin në shkollë dhe 25 % ‘kishin mbyllur llogaritë e tyre në mediat sociale.
  • 38% thanë se nuk u kishin treguar prindërve ose kujdestarëve të tyre, pasi kishin turp (32%), kishin frikë se do të përfshihen edhe prindërit e tyre në këtë histori (40%), ose ishin të shqetësuar se çfarë mund të bënin prindërit (36%).
  • 43% e të anketuarve u shprehën se e kishin të vështirë të përkrahnin një mik të keqtrajtuar në mediat sociale, pasi ata 'nuk mund të gjenin fjalët e duhura’ për të treguar mbështetjen e tyre.
  • 72% e adoleshentëve thanë se e kane me te thjeshte te perdorin një imazh “ Emoji” për të shprehur dhembshurinë apo përkrahjen e tyre për miqtë që ishin viktima të ngacmimeve kibernetike.

Në përgjigje të këtyre gjetjeve, Vodafone ka lançuar nismën me imazhe Emoji #BeStrong kundër ngacmimit kibernetik, e cila përfshin krijimin e një pakete me imazhe ‘Emoji përkrahëse’ për të rritur ndërgjegjësimin dhe rëndësinë e shprehjes së dhembshurisë, keqardhjes dhe mbështetjes kur miqtë janë duke u keqtrajtuar/ngacmuar në internet.

Imazhet Emoji u përzgjodhën nga 4,720 adoleshentët e anketuar si simbolet e tyre të preferuar kundër ngacmimit (anti-bullizëm).

Përveç kësaj, Fondacioni Vodafone, dega filantropike e Vodafone Group, në kuadër të programit të saj të familjes dixhitale do të ndihmojë në mbledhjen e fondeve për organizatat joqeveritare (OJQ) kundër ngacmimit (bulizmit), duke dhuruar 10p (14 cent) për çdo retweet në Twitter ose Facebook publik si imazhi emoji #BeStrong i Vodafone.

Kompania gjithashtu është në bisedime me Facebook/Instagram/Twitter që imazhet Emoji të jenë pjesë e platformave të tyre në të ardhmen.

Ideja për realizimin e një ‘emoji përkrahëse’ u soll për herë të parë në Vodafone Group nga ambasadorja e lëvizjes kundër bulizmit, Monica Lewinsky, e cila ka qenë konsulente e iniciativës, duke punuar së bashku me semiotikanët (që studiojnë shenjat dhe simbolet, si dhe përdorimin ose interpretimin e tyre), organizatën joqeveritare kundër bulizmit ‘The Diana Award’, projektin ‘ENABLE’ të Bashkimit Evropian që ndihmon në luftën kundër bulizmit, si dhe Profesorin e Universitetit të Berkeley, Dacher Keltner, psikologu që dha këshillat e tij në krijimin e personazheve për filmin ‘Inside Out’ nga Pixar Animation Studios.