Vodafone Albania  ofron internet falas për të gjithë turistët e bregdetit Shqiptar

Të gjithë ata që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet verore në plazhet e mrekullueshme të bregdetit Shqiptar, do të kenë mundësinë të lundrojnë falas në internet me Vodafone Free Wi-Fi. Në më shume se 16 zona të bregdetit, kompania Vodafone Albania ka mundësuar internet wi-fi nëpërmjet të cilit pushuesit mund të lundrojnë në internet, të ndajnë foto me miqtë në rrjetet sociale, të kontrollojnë emailin etj.

Ky shërbim u prezantua në plazhin fantastik të Jalës me praninë e Ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike Znj. Milena Harito, Drejtorit Ekzekutiv të Vodafone Albania Z. Dietlof Mare, Drejtorit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Z. Pirro Xhixho.

 “Ne kemi zgjedhur të jemi gjithnjë pranë nevojave të klienteve tanë, por me këtë shërbim ne do të ofrojmë internet wi-fi pa pagesë për cdo pushues pavarësisht operatorit telefonik që përdor” – tha Z. Mare në fjalën e tij. Teknologjia dhe komunikimi virtual është bërë pjesë e domosdoshme e jetës sonë të përditshme, prandaj ne si kompani jemi të fokusuar për të sjellë në tregun shqiptar zhvillimet më të reja në këtë fushë, me qëllimin e vetëm që klientët tanë të ndihen njësoj të privilegjuar si në çdo vend tjetër të botës. Për këtë arsye, ne synojmë të sjellim edhe një tjetër risi teknologjike si shëbimi MPesa, i cili mundëson transfertë parash, pagesë të faturave nëpërmjet celularit, etj” – shtoi Z.Mare

Ministrja e Inovacionit, Znj. Milena Harito falenderoi kompaninë Vodafone për këtë iniciativë si dhe për angazhimin e vazhdueshëm në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

“Aksesi në Internet është sot një komoditet bazë pa të cilin nuk e imagjinojmë më punën, zbavitjen dhe kulturën. E ardhmja e komunikimeve elektronike është tek shërbimet e reja të cilët janë të lidhura pazgjidhshmërisht me aksesin e bollshëm në Internet. Qeveria po bashkëpunon me të gjithë operatorët për të nxitur përmirësimin e aksesit Internet 3G dhe për të shkuar së shpejti në Internet 4G, si vendet e tjera të Evropës”, u shpreh ministrja në fjalën përshëndetëse nga plazhi i Jalës.

Turistët në plazhet e Sarandës, Ksamilit, Jalës, Dhërmiut, Drimadhasit, Palasës, Vlorës, Divjakës, Gjirit të Lalëzit, Shëngjinit, Velipojës etj. do të përfitojnë internet të shpejtë dhe të sigurt pa pagesë vetëm duke aksesuar në Vodafone wi-fi.
Në kuadër të zhvillimit të turizmit në vend, Vodafone është e angazhuar  për të shfrytëzuar teknologjinë e saj për të ofruar shërbime dhe lehtësi për turistët, me qëllimin e vetëm për të kthyer Shqipërinë në destinacionin e preferuar të shqiptarëve dhe të huajve, jo vetëm për bukuritë natyrore mahnitëse, por edhe për shërbimet cilësore.