Përfaqësues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) i akorduan Vodafone Albania medaljen e mirënjohjes për mbështetjen ndaj Lëvizjes Olimpike në Shqipëri dhe pjesmarrjes së vendit tonë në Lojërat Olimpike Londër 2012 dhe Lojërat Mesdhetare Mersin 2013 që zhvillohen pas disa muajsh.

Medalja iu dorëzua Drejtorit të Përgjithshëm, Dietlof Mare nga Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH, Stavri Bello gjatë një ceremonie në zyrat e Vodafone dedikuar nisjes së ekipit të skiatorëve të rinj shqiptarë në një event të rëndësishëm ndërkombëtar të sportit të skive.

Në kuadër të përfshirjes në aktivitete sportive olimpike ndërkombëtare, Shqipëria do të marrë pjesë në garat e Edicionit të 11-të të Festivalit Dimëror Olimpik Rinor Europian  EYOWF, që do të zhvillohen në Brasov Rumani, në datat 17-22 Shkurt 2013. Në këtë eveniment sportiv vendi ynë do të përfaqësohet me 2 skiatorë të rinj 16 vjecarë: Isi Boletini dhe Sokrat Tasho. Të rinjtë shqiptarë do të garojnë në disiplinat Slalom dhe Giant Slalom dhe do të shoqërohen nga trajneri Ervin Rota.

Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania Dietlof Mare falënderoi përfaqësuesit e KOKSH për vlerësimin ndaj Vodafone dhe përgëzoi skiatorët e rinj që do të përfaqësojnë ngjyrat e Shqipërisë në këtë event të rëndësishëm duke ju uruar atyre suksese. Në vijim ai theksoi angazhimin e Vodafone Albania në mbështetje të vazhdueshme të sportit dhe kulturës në Shqipëri.