Sinjali 3G tashmë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fushe Krujë, Fier, Vlorë, dhe vijon të përhapet

Tiranë, 18 Mars 2011. Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Haris Broumidis i deklaroi mediave se kompania Vodafone po vijon me shtrirjen e shpejtë të rrjetit 3G duke mbuluar tashmë qytetet kryesore, me plane të qarta për të ofruar shërbimet në zonat me popullsi më të dendur brenda verës 2011.

“Jam i lumtur të informoj se mbas prezantimit të teknologjisë 3G në kryeqytet, tashmë kemi avancuar me shtrirjen e rrjetit 3G në Durrës, Elbasan, Fushë-Krujë, Fier, Vlorë dhe në një numër zonash rreth këtyre qyteteve. Brenda pak javëve rrjeti 3G do të jetë aktiv në Shkodër, Lezhë, Krujë dhe në zonat rreth tyre. Kemi planifikuar që të mbulojmë me sinjal 3G të gjitha qytetet kryesore të vendit, përfshirë zonat e populluara bregdetare, brenda verës 2011. Pushuesit këtë verë mund t’iu gëzohen shërbimeve të mundësuara nga teknologjia 3G” – thotë Z. Broumidis.

Sipas Z. Broumidis, teknologjia 3G e ofruar nga Vodafone është e nivelit më të avancuar, me shpejtësi të internetit 3G deri në 14.4 Mbps. “Ne po sjellim në Shqipëri teknologjinë superiore 3G që lejon shpejtësi interneti deri në 14.4 Mbps në fazën fillestare, e që shumë shpejt, ndërsa rritet kërkesa e konsumatorit, mund ngrihet në nivele shpejtësie akoma dhe më të larta. Ne besojmë se shqiptarët meritojnë që të kenë një nga teknologjitë 3G më të avancuara në rajon” – thotë Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania.

Teknologjia 3G, e pranishme në Shqipëri që prej muajit Janar 2011 pritet që ti japë një zhvillim të metëjshëm komunikimit të konsumatorëve individualë, bizneseve si dhe vizitorëve të huaj që përdorin shërbimin roaming në Shqipëri. Tashmë të gjithë kanë mundësinë që nga aparatet e tyre celularë apo kompjuterat personalë të aksesojnë aplikime që kërkojnë nivel të lartë të shpejtësisë së internetit. Teknologjia 3G mundëson internet të shpejtë përmes të cilit navigimi, shkarkimi dhe shikimi i përmbajtjeve media bëhet më i lehtë se kurrë.