Shqipëria po zbaton me ritme të shpejta teknologjinë HSPA+


Flet Genci Hamzaraj, Drejtor i Departamentit të Teknologjisë, Vodafone Albania. Interviste per Gazeten "Dita". Publikuar ne 11 Mars 2014.


Genci Hamzaraj është Drejtor i Departamentit të Teknologjisë në Vodafone Albania SHA. Me një përvojë të gjatë në industrinë e komunikimeve elektronike Z. Hamzaraj i është bashkuar Vodafone qysh prej ditëve të para të prezantimit të shërbimeve në Shqipëri në verën e 2001. Vodafone Albania është i pari operator që solli shërbimet 3G në vendin tonë duke udhëhequr në komunikimet elektronike në Shqipëri.

Si paraqitet ecuria e teknologjisë 3G në Shqipëri dhe çfarë të rejash sjell për tregun e komunikimeve elektronike?

Teknologjia 3G mbërriti relativisht me vonesë në Shqipëri, por lajmi i mirë është që po ecet me ritme të shpejta në ofrimin e teknologjisë së përparuar HSPA+, që mundet të arrijë standardin 43.2 Mbps për shpejtësinë e shkarkimit (downlink) thuajse në të gjithë zonat urbane të vendit dhe jo vetëm. Ky është aktualisht standardi më i lartë i zbatuar në teknologjinë 3G në të gjithë Evropën si dhe në shumicën e vendeve të zhvilluara.  Pajisjet që Vodafone përdor janë të fjalës së fundit në koncept dhe dizenjim e që në gjuhën teknike njihen si “Single RAN” - të afta për të zbatuar në të ardhmen çdo lloj teknologjie, përfshirë dhe LTE (4G).
Sigurisht, teknologjia si koncept mund të mos jetë aq e rëndësishme për klientin. E rëndësishme është përvoja e tij në përdorimin e shërbimeve të mbështetura prej teknologjisë 3G HSPA+. Kjo do të thotë që klientet dëshirojnë të kenë praktikisht Internet super të shpejtë, të shkarkojnë apo dëgjojnë muzikë apo video me cilesi të lartë, të ndjekin “live” programe dhe evenimente te ndryshme informative, sportive, artistike në çdo kohë dhe kudo që të jenë.

Cila është strategjia juaj për të përmbushur kërkesat e klientëve dhe çfarë keni arritur deri tani?

Vodafone Albania ka ndërtuar një besim  reciprok në marrëdhënien me klientin dhe i ka besuar bindshëm tregut shqiptar, ndaj dhe ishte i pari operator që prezantoi shërbimet e teknologjisë 3G/HSPA+ në Shqipëri. Tashmë ndihemi shumë mirë teksa vërejmë që brenda një kohe relativisht të shkurtër klientët tanë përdorin gjerësisht shërbimet tona të teknologjisë 3G HSPA + në të gjithë vendin.  Sipas statistikave zyrtare, shumica e klientëve që përdorin shërbimet 3G janë klientë të Vodafone Albania, falë prezencës së gjerë dhe cilësore me shërbimet tona në gjithë vendin. Ne kemi investuar në ndërtimin e numrit më të madh të stacioneve të transmetimit 3G në vend, sikundër raportohet nga  autoritetet shqiptare vitin që shkoi. Synimi jonë është që në një kohë shumë të shkurtër të ofrojmë mbulim të plotë me sinjal 3G/HSPA+ në të gjithë gjurmën aktuale të mbuluar prej rrjetit 2G. Bazuar në të dhënat e Grupit Vodafone në shkallë globale, cilësia e shërbimeve të Vodafone Albania vlerësohet në nivel të njëjtë me vendet evropiane që kanë ndërtuar të tilla rrjete të teknologjisë së gjeneratës së tretë që prej mëse 10 vjetësh. Aktualisht Vodafone ofron shpejtësinë më të mirë të shkarkimit për të gjithë bazën tonë të pajtimtarëve pa asnjë dallim në të gjithë territorin e vendit. Në muajin Dhjetor 2013 ne angazhuam një kompani të pavarur të mirënjohur në fushën e vlerësimit të performancës së rrjeteve celulare të kryente një studim i cili dëshmoi arritjet e jashtëzakonshme të Vodafone në lidhje me shërbimet 3G, të tilla si shpejtësitë e shkarkimit dhe ngarkimit, cilësinë dhe qendrueshmërinë e luajtjes (streaming) dhe shkarkimit të përmbajtjeve video nga Interneti.
Përsa i përket të ardhmes, Vodafone është e angazhuar për të investuar fuqishëm në mënyrë që klientët të kenë shërbimet e cilësisë më të lartë të mundshme.  Vodafone të vazhdojë të investojë për të vijuar të kemi një rrjet të teknologjisë superiore duke modernizuar të gjithë hallkat e tij për të kaluar plotësisht në një ambient IP. Në terma më të thjeshta teknike, kjo nënkupton që Vodafone do të investojë akoma më shumë në mbulim me sinjal, akses dhe trasmetim IP. Në vitin 2013 filluam punën për modernizimin e rrjetit kurrizor (back bone) përmes shtrirjes se fibrave optike dhe këtë vit do vijojmë me investimet në lidhjet përmes fibrës optike.

Duket se ju si kompani keni një fokus të veçantë në ndërtimin e një infrastrukture moderne për të mbështetur ofertat e tuaja të shërbimeve të të dhënave. A është kjo e mjaftueshme që klientët të shijojnë përvojën më të mirë të komunikimit?


Absolutisht jo! Me të njëjtin pasion dhe vendosmëri Vodafone po punon edhe për ofrimin e shërbimeve te reja si për anën e rrjetit ashtu dhe për optimizimin e shërbimeve video dhe lundrimit në internet. Para disa muajsh kemi prezantuar aplikimin “My Vodafone” për sistemet Android, iOS  dhe modele te tjera smartphone, që ju mundëson klientëve tanë të marrin online një numër shërbimesh që tradicionalisht merren përmes shërbimeve tradicionale si IVR apo përmes SMS-ve.  Tashmë, prej më shumë se një viti, duke shfrytëzuar kapacitetet e rrjetit tonë 3G, ne ofrojmë “Telemjekësinë përmes Celularit” – një risi e vënë në zbatim në bashkëpunim me Fondacionin Vodafone Albania,  për t’iu shërbyer njerëzve që kanë nevojë për mbështetje mjekësore. Së fundmi, si pjesë të platformës së shërbimeve Vodafone Red, kemi prezantuar një numër aplikacionesh të dobishme si Vodafone Data Share që mundëson për klientët aksesimin e internetit në disa pajisje nën të njëjtën llogari të pajtimtarit; Vodafone Cloud, Vodafone Contact dhe Vodafone Protect – aplikacione që i mundësojnë klientëve ruajtjen e sigurt të përmbajtjeve dhe të dhënave të tyre në Cloud nëse për një arsye apo një tjetër pajisja dëmtohet ose humb.

Cila është pikëpamja juaj mbi zhvillimin e ardhshëm të teknologjisë LTE në Shqipëri?


Vodafone Albania është e vendosur për të qenë në krye të përpjekjeve për të zhvilluar teknologjitë më të reja. Kjo është dëshmuar përmes shtrirjes së shpejtë dhe të gjerë të rrjetit 3G. Jemi shumë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve të tregut dhe nismave rregullatore në lidhje me LTE. Ne po përgatisim në mënyrë graduale rrjetet tona (2G dhe 3G HSPA+) për të migruar në një rrjet të vetëm homogjen me tre nivele (2G,3G,LTE) duke instaluar pajisjet e teknologjisë përkatëse “Single RAN”  dhe duke modernizuar infrastrukturën tonë bazë.  Ne synojmë të pajisemi me një nivel të mjaftueshëm frekuencash për të garantuar shërbime të cilësisë së lartë për klientët tanë. Ndërsa teknologjia mobile vijon evoluimin edhe në vendin tone, ne kemi nevojë të ndryshojmë qasjen ndaj shfrytëzimit të frekuencave për t’i dhënë më tepër peshë eficencës, kapacitetit dhe proporcionalitetit të spektrit sesa paritetit në alokimin e tij. E thënë më thjeshtë, kjo nënkupton që subjekti që ka më shumë nevoja të ketë mundësi të blejë më shumë hapësirë frekuencash përmes një procesi ankandi konkurrues dhe transparent.