Fondacioni Vodafone Albania
Adresa: Rr."Dëshmorët e 4 Shkurtit", Kompleksi "Green Park", Kulla No.1, Apt.17, Tiranë, Shqipëri
Bota e Ndryshimit Lexoni më shumë për fituesit e programit "Bota e Ndryshimit"
Përgjigje ndaj Fatkeqësive 2008-9
Në përgjigje të fatkeqësisë së shpërthimit të depos së demontimit në Gërdec
Një shpërthim masiv në një depo municionesh pranë kryeqytetit në 15 Mars 2008 goditi rëndë tri fshatra të Gërdecit. Sipas informacioneve të marra nga autoritetet lokale, 26 njerëz humbën jetën, një numër shumë i madh ndërtesash, duke përfshirë shumë shtëpi, u shkatërruan krejtësisht, dhe 90% e 4000 banorëve të fshatrave u evakuuan. Situatë kërkonte ndërhyrje të menjëhershme.
Me propozim të Fondacionit Vodafone Albania, Fondacioni Vodafone në Mbretërinë e Bashkuar financoi Kryqin e Kuq Shqiptar për realizimin e operacionit të paketave të emergjencës për 850 familje të prekura nga tragjedia, me një financim prej 40 mijë Paund Britanik. Paketat përmbanin mallra ushqimorë dhe jo-ushqimorë, ku përfshihej miell, oriz, sheqer, batanije dhe paketa higjiene. Operacioni u krye brenda datës 16 Shtator 2008. Për më shumë, Fondacioni Vodafone Albania (FVA) me një fond të akorduar prej Vodafone Albania Sh.A., ofroi kontributin më të madh të dhënë ndonjëherë nga komuniteti i biznesit, për t’i ardhur në ndihmë të prekurve nga tragjedia. Në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar të Emergjencës, shuma prej 24 milion Lekë u vu në dispozicion të rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare të Gërdecit. Pas marrjes së konfirmimit zyrtar nga ekspertët për lejimin e punimeve të shkollës, FVA bëri të gjitha përgatitjet për të kryer rikonstruksionin e plotë të shkollës, përfshirë tenderimin e gjithë shërbimeve për realizimin cilësor të këtij projekti. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencave dhe ekspertët e qeverisjes vendore, u ndërmorën të gjitha masat e nevojshme me qellim permbushjen e objektivave në kohën më të shkurtër të mundshme. Nëpërmjet rikonstruksionit, komuniteti do të përfitojë jo vetëm një shkollë në gjendje funksionale, por do të sigurojë edhe standarde të reja bashkëkohore, përfshirë këtu sistemin e kanalizimeve, ambientet sportive, sistemin e ngrohjes, sistemin e sigurisë, si dhe një sërë ambientesh të tjera të domosdoshme. Punimet priten te perfundojne në 31 Mars 2009.
Shëmbja e pallatit në Gjirokastër
Shembja e një pjese pallati 5-katësh në Gjirokastër më 9 nëntor 2008 shkaktoi 3 viktima, 11 të plagosur dhe 19 familje të pastreha. Pjesa e mbetur e ndërtesës u shemb pasi përbënte rrezik për banorët përreth, duke lënë kështu të gjithë banorët e pallatit pa shtëpi dhe pa asnjë mbështetje. Situata kërkonte një ndërhyrje të menjëhershme dhe Fondacioni Vodafone Albania u përgjigj menjëherë. Paketa e ndihmës se FVA e financuar nga Vodafone Albania Sh.A., ishte e para dhe e vetmja mbështetje që dhuroi një fond emergjence me synim lehtësimin e pasojave të menjëhershme të tragjedisë, duke siguruar pagesën e qirasë dhe shpenzimeve të tjera bazë për familjet e përfshira. Në bashkëpunim me Qendrën Multifunksionale Komunitare në Gjirokastër dhe pushtetin lokal, u ndërmorr kjo iniciativë me shpresën e sinqertë se edhe organizata nga komuniteti i biznesit apo institucione të tjera do ta ndjekin këtë shëmbull në ndihmë të komuniteteve në nevojë. |