Tiranë 8 Tetor 2013:  Drejtori i Përgjithshëm i Grupit Vodafone Vittorio Colao viziton për herë të parë Shqipërinë, në cilësinë e kreut global të Vodafone. Vizita po zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Vodafone Albania, pasi përkon me njoftimin e projekteve të reja të investimeve për ofrimin e shërbimit të pagesave përmes celularit dhe në futjen e teknologjisë 4G (LTE).     

Gatë vizitë së tij, Z. Colao takoi Kryeministrin Z. Edi Rama dhe Ministren për Inovacionin dhe Administratën Publike, Zj. Milena Harito.  Ai u shoqërua nga Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Z. Dietlof Mare.

Duke folur për planet aktuale të investimeve, Z. Colao tha se Vodafone Albania do të fillojë zbatimin e shërbimit të pagesave përmes celularit në fillim të 2014, ndërsa futja e teknologjisë 4G është çështje kohe, sapo të ndizet drita jeshile nga ana e rregullatorit. Z. Colao ritheksoi vendosmërinë e Vodafone për të vijuar të jetë një partner kryesor i Shqipërisë për t’u përballur me sfidat e një ere të re në sektorin e telekomunikacioneve. “Duke u mbështetur në një kuadër të plotë dhe mbështetës ligjor dhe rregullator që bashkë me një orientim të drejtë teknologjik të shtetit krijojnë një klimë pozitive dhe të qendrueshme për investim, Vodafone do të vijojë të jetë një partner kryesor i Shqipërisë për të arritur të gjithë objektivat e së ardhmes” tha ai.

Në vijim të takimit me Kryeministrin Rama, Z Colao iu përgjigj interesimit të medias vendase për zhvillimet më të fundit në nivel lokal dhe në Grupin Vodafone dhe për komentet e tij mbi ecurinë e biznesit të Vodafone në Shqipëri.

“Vodafone Albania po bën një punë të përkryer duke ofruar shërbime të shumëllojshme me çmime konkurruese, dhe çka është më e rëndësishmja, duke sjelle risitë dhe teknologjitë më të fundit në vend. Unë jam i bindur që do të vazhdojmë të ofrojmë shërbime shumë të mira me çmime shumë të mira në mënyrë që të ndihmojmë vendin për t’u modernizuar . Në industrinë tonë është normale që operatorët e tjerë të ankohen ndonjëherë por natyrisht fjala e fundit i mbetet konsumatorit dhe nëse ai ështe i kënaqur me shërbimet dhe çmimet e ulta, atëherë gjithçka është në rregull “ – tha Colao për mediat.

“Ne jemi gjatë gjithë kohës konkurues duke ofruar shërbime të ndryshme me çmime më të mira, por gjëja më e rëndësishme tani, dhe që duhet vlerësuar më shumë, është që ne të ofrojmë shërbimet 3G dhe 4G. Evropa tashmë ka shërbime më të mira dhe çmime të ulta, por ne do t’i sjellim Evropës shërbime akoma më të shpejta, më të mira  dhe teknologji të reja.

Në lidhje me shërbimin e pagesave nëpërmjet celularit, që do të fillojë së shpejti, Z Colao tha që kjo risi do t’i ndihmoje konsumatoret të bëjnë një jetë më të mirë duke menaxhuar paratë e tyre në një mënyrë të sigurt me kosto të përshtatshme. “Ky shërbim është një lehtësi për të gjithë shoqërinë dhe jam i bindur që Shqipëria do jetë nga vendet e para që do të prezantojë këtë risi. “ – shtoi Colao

Persa i përket projektit “Vodafone Spring”, Z. Colao theksoi se Shqiperia do të përfitojë vërtet shumë nga ky projekt, sepse Vodafone ka vendosur të investojë 35-50% më shumë para për teknologjinë, rrjetin dhe internetin dhe për ketë arsye po viziton vende të ndryshme të Europes për të prezantuar ketë risi e për të njoftuar abonentët tanë se 2-3 vitet e ardhshme do të jenë vite investimesh, përmiresimesh dhe shërbimesh të reja.

Vodafone ka hyrë në tregun shqiptar në Gusht 2001 dhe është një prej kompanive lider në tregun shqiptar dhe jep një kontribut të rëndësishëm në ekonominë vendase. Qe fillimit te aktivitetit në Shqipëri, Vodafone ka investuar rreth 420 milion Euro në asete afatgjata, përfshirë dhe pagesën e autorizimit të teknologjisë 3G prej 31.4 milion Euro.

Për informacione të mëtejshme na shkruani në media.al@vodafone.com