Informacion për mediat në lidhje me Raportin e Vodafone Group për Zbatimin e Ligjit për Ruajtjen dhe Administrimin e të Dhënave


9 Qershor 2014

Vodafone Group Plc ka publikuar në Qershor 2014 një raport për Qendrueshmërinë e Biznesit në nivel global, ku përfshihen një sërë parimesh mbi privatësinë të zbatuara në lidhje me aksesin e autoriteteve shtetërore kompetente në komunikimet dhe të dhënat, në vendet ku Vodafone Group ushtron veprimtarinë e tij të biznesit. Sipas parimeve në fjalë, Vodafone Group dhe kompanitë Vodafone (përfshirë Vodafone Albania) nuk lejojnë asnjë lloj aksesi në të dhënat e pajtimtarit nga një organizëm apo autoritet, përveç rasteve kur Vodafone ka detyrimin ligjor ta lejojë këtë akses. Vodafone angazhohet dhe synon që të autoritetet kompetente të veprojnë në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse.


Sa më sipër pasqyron politikën e kahershme të Vodafone Group dhe qendrimin e Vodafone Albania në Republikën e Shqipërisë. Vodafone Albania gjithmonë ka garantuar dhe do të vazhdojë të përmbushë detyrimin e saj për respektimin e të drejtave të njeriut për privatësi dhe liri të shprehjes e komunikimit që gëzojnë pajtimtarët e saj, duke zbatuar në të njëjtën kohë dhe detyrimin e saj ligjor për t’i ardhur në ndihmë autoriteteve shtetërore gjatë ushtrimit të të drejtave të tyre sipas ligjit.


Raporti dhe parimet janë publikuar si pjesë e raportit vjetor të Vodafone Group mbi Qendrueshmërinë e Biznesit. Përveç sqarimeve mbi ligjet që parashikojnë të drejtat e autoriteteve shtetërore kompetente për të aksesuar komunikimet dhe të dhënat, raporti përcakton përmbledhurazi edhe vëllimin total të kërkesave që Vodafone Albania ka marrë nga autoritetet kompetente (gjykata dhe prokurori).


Në këtë raport, Vodafone ka paraqitur një përshkrim të përgjithshëm të kuadrit ligjor në Shqipëri dhe të drejtave që autoritetet shtetërore kompetente kanë për të kërkuar ndihmën e Vodafone Albania për Ruajtjen dhe Administrimin e të dhënave me qëllim ndjekjen penale dhe realizimin e përgjimit të ligjshëm në kohë reale për pajtimtarët e Vodafone Albania.


Në lidhje me publikimet e bëra së fundmi në mediat lokale mbi Raportin e Vodafone Group për Zbatimin e Ligjit për Ruajtjen dhe Administrimin e të Dhënave dhe përgjimin e ligjshëm, Vodafone Albania dëshiron të sqarojë se disa publikime në media jane të pasakta. Vodafone Albania garanton edhe një herë se në çdo moment ka zbatuar rigorozisht legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.


Sikundër deklarohet në raportin e Vodafone Group, jo vetëm që përgjimi i ligjshëm kryhet në mënyrë të pavarur dhe të fshehtë nga autoritetet kompetente, por zbulimi i cilitdo aspekti të zhvillimit të procesit është i paligjshëm. Dëshirojmë të theksojmë se shifra 5778 i referohet numrit total të kërkesave nga Prokuroritë dhe Gjykatat për identifikimin e përdoruesit si dhe detajet e komunikimeve dhe nuk i referohet përmbajtjes së përgjimeve të komunikimeve.


Zbatimi i legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë dhe i ligjeve të vendeve të tjera në të cilat Vodafone Group plc ushtron veprimtarinë e saj është dhe do të mbetet gjithmonë një nga prioritetet tona më të rëndësishme.


Më shumë hollësi do të gjeni në variantin origjinal të raportit në lidhjen si më poshtë:

//www.vodafone.com/content/sustainabilityreport/2014/index/operating_responsibly/privacy_and_security/laë_enforcement.html#eocp

 

Për më shumë informacion, ju lutemi na kontaktoni në media.al@vodafone.com