Fondacioni Vodafone Albania shpërndan karrige me rrota në Ditën Ndërkombëtare të Aftësisë së Kufizuar

Data 3 Dhjetor shënon Ditën Ndërkombetare të Aftësisë së Kufizuar. Kjo ditë synon të ofrojë një mundësi për të rritur më tej ndërgjegjësimin për aftësinë e kufizuar dhe aksesin si çështje kryesore e zhvillimit dhe për të përkrahur përpjekjet globale për të promovuar qasje, për të hequr të gjitha llojet e pengesave, dhe për të realizuar plotësisht  dhe në mënyrë të barabartë pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri dhe të modelojmë të ardhmen e zhvillimit për të gjithë.

Në kuadër të kësaj dite, Fondacioni Vodafone Albania dhe Albania Cap Project organizuan në ambientet e Muzeut Kombëtar në Tiranë, aktivitetin përmbyllës të fazës së parë të projektit nga ku përfituan 30 persona me aftësi të kufizuar. 

Albania Cap Project është një projekt i zbatuar nga fituesja e programit Bota e Ndryshimit të Fondacionit Vodafone Albania, Mimi Barushi,  dhe e mbeshtetur nga Organizata për Solidaritet Rinor ka krijuar një linjë zinxhir ku nëpërmjet ricklimit të kapakëve plastikë, mundësohet pajisja me karroca me rrota për personat në nevojë për to. Në këtë formë kontribuohet në ndikimin e mbajtjes pastër të mjedisit si dhe pajisjen me karroca invalidësh personave të cilët nuk kanë mundësitë financiare për ti blerë ato.

Mbi 6000 akitiviste, 300 vullnetarë në 20 qytete për më shumë se një vit kanë mbledhur 8 ton tapa plastike,  të cilat janë ricikluar dhe janë blerë 30 karrige me rrota të cilat iu shpërndanë në këtë ditë të veçantë 30 njerëzve me aftësi të kufizuara në nevojë për to.

Përveç vullnetarëve, aktivistëve dhe dashamirësve të projektit, aktiviteti u ndoq dhe u përgëzua edhe nga Zv. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Znj. Bardhylka Kospiri, drejtues të kompanisë Vodafone Albania etj.

Vodafone Albania nëpërmjet Fondacionit Vodafone Albania është një prej kompanive shembull për kontributin dhe mbështetjen e komuniteteve në nevojë dhe veçanërisht njerëzve me aftësi të kufizuar. Prej vitesh kompania ka mbështetur projekte dhe iniciativa të ndryshme të cilat kanë nxitur gjithëpërfshirjen e këtij komuniteti në shoqëri, duke arritur suksese të njëpasnjëshme në punësim, edukim dhe mundësimin e një jete më të mirë për këtë komunitet.